Kryeministri Edi Rama fton Japoninë të marrë pjesë në ndërtimin e projektit strategjik të hekurudhës së re Durrës–Prishtinë. Gjatë një takimi me sipërmarrësit japonezë, kreu i qeverisë bëri të ditur se Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin angazhimin e Japonisë në këtë projekt, i cili parashikon lidhjen e Durrësit me Prishtinën, për të vijuar më pas drejt Nishit dhe Europës Qendrore. “Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë. Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj”.