Qeveria shqiptare i ka hapur dyert investitorëve japonezë për t’u bërë partner në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Një projekt që tashmë ka marrë dhe konfirmimin e qeverisë së Kosovës por që ende vijon të jetë në letër. Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me sipërmarrës nga Japonia tha se të dyja qeveritë janë dakord për përfshirjen e tyre me qëllim realizimin e projektit. Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore. Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s. Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt.