Një ekskursion shkollor në Mal të Zi është kthyer në incident për rreth 80 gjimnazistë të shkollës “Naim Frashëri” në Durrës dhe mësueset shoqëruese. Katër djem, nxënës të moshës 16-17 vjeç, janë shoqëruar nga policia malazeze dhe e kanë kaluar natën në komisariatin e Kotorrit. Pas afro 18 orësh në ambientet e policisë ata janë liruar paraditen e së dielës. Sipas informacioneve nga institucionet arsimore në Durrës për TCH, incidenti ndodhi rreth orës 5 të pasdites së të shtunës, në ambiente publike, kur një grua e moshuar vendase i ka pyetur të rinjtë nga vinin. Gjimnazistët i janë përgjigjur duke formuar shqiponjën me duar dhe qeshur, por ajo i ka akuzuar për provokim dhe sipas burimeve, gruaja malazeze ka goditur me shuplakë disa herë njërin prej gjimnazistëve, përpara se të njoftonte policinë.