Lëvizja Vetëvendosje do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, e pastaj të merret vendim se si do të procedohet me propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. “Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.