Top Channel/ Kosova padit Paunoviç! Serbët: Deklaratë e rrezikshme, nxit urrejtje
16/07/2026 19:41

Ministrja serbe Snezhana Paunoviç është duke u përballur me një padi për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në Kosovë, si dhe kërkesë për shkarkim në Kuvendin serb, për shkak të deklaratës së saj ditë më parë për “spastrim etnik” në Kosovë. Snezhana Paunoviç, ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të ish-lideri serb Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, duke nxitur reagime dhe dënime në Kosovë dhe më gjerë. Për shkak të kësaj deklarate, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njoftoi të enjten se ka ngritur padi kundër Paunoviçit për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit. Gërvalla shkroi në Facebook se i ka kërkuar kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës t’i ndërmarrë “të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”. Ndërkohë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb, Gjuro Macut, për shkarkimin e Paunoviçit. Ata i kërkuan kryeministrit Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e ministres Paunoviç, e cila u shpall person i “padëshirueshëm” në Kosovë. Nuk është e qartë nëse Macut do ta bëjë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende. Kamberi theksoi të enjten se kryeministri Macut ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore. “Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, tha ai. Reagimet Deklaratat e Paunoviçit u dënuan nga Bashkimi Evropian dhe Kosova, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se komentet e saj “nuk pasqyron vullnetin tim, e as të Qeverisë së Serbisë”. Të enjten, komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratave të Paunoviçit dhe shprehu habinë pse ajo vazhdon të mbetet ministre. Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë Radion Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviçit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë. Deklaratat e saj prekin plagë të vjetra në Kosovë, pasi qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ajo luftë ua mori jetën mbi 13.000 civilëve, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të zhdukur. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur. Gërvalla theksoi se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. “Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, shkroi Gërvalla. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në vitin 1999. Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën” I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviç, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviç, u shpall i pafajshëm./ REL

Top News- Kosova ‘nuk flet’ me ShBA / Opozita fajëson Vetëvendosjen, Kurti përgjigjet
18/10 12:10
Top News- Operacioni ‘Mali’ në Kosovë/ Kapen 53 kg drogë në vlerë 80 mijë euro, pranga 2 personave
17/10 10:37
Top Channel/ Pakënaqësia me Gjykatën Speciale, Serwer: Kosova më e gatshme të mbrojë sovranitetin!
16/10 12:01
Top News- Misri serb i ndotur/ Kosova e bllokon ngarkesën për ushqim bagëtish
15/10 17:31
Top News- Viti i ri akademik në Kosovë/ Studentët preferojnë degën ‘Biznes, Administratë dhe Ligj’
15/10 14:25
Top News- Ligji për Specialen, Hamza mesazh BE: Presioni ndaj Kuvendit, i papranueshëm
15/10 13:48
Top Channel/ Kurti “kujtohet” për UÇK-në: Qeveria, grup pune për ish krerët e burgosur në Hagë!
15/10 11:35
Top News- Kosova në qendër të fushatës në Serbi/ Partitë me retorikë nacionaliste
14/10 21:11
Top News- Dialogu strategjik me Kosovën/ DASH s’ndryshon qëndrim: Të përmbushen zotimet
14/10 18:55
Top Channel/Kosova “pushton” fushatën zgjedhore në Serbi: Po e përdorin si armë të betejës politike!
14/10 11:46
Top Channel/ Bondsteel bazë e përheshme ushtarake e SHBA, senatori amerikan: Meriton shqyrtim!
14/10 11:35
Top Channel/ Presidentja e Kosovës do rikthimin e Dialogut Strategjik, SHBA: Nuk ndryshojmë qëndrim!
14/10 11:34
Top News- BE përsërit qëndrimin për ligjin e Speciales: Mbështesim punën e Dhomave të Specializuara
13/10 17:13
Top News- Komandanti turk i KFOR largohet/ Konfirmon angazhimin për sigurinë e Kosovës
13/10 11:49
Top Channel / Kosova kërkon dialog me SHBA! Presidentja: Anëtarësimi në NATO, parësor
12/10 23:17
Top News- Kritikat e BE për ligjin e Speciales, partitë në Kosovë: Do mbështesim çlirimtarët në Hagë
12/10 15:32
Top Channel/ Kos: Shqipëria mbyll grupkapitullin e 4 të negociatave me BE, Specialja me probleme!
12/10 11:33
Top News -Ndryshimi i ligjit të ‘Speciales’. Komisionerja Kos: Rrezikojnë integrimin e Kosovës në BE
12/10 11:10
Top Channel/ Kosovë, qeveria Kurti 4 rikthen Kodin e ri Civil: Dhe martesat mes personave të së njëjtës gjini!
11/10 14:37
Top Channel/ Kosova, “betejë” për milionat e BE/ Më pak se tre muaj për të përfituar 165.8 milionë €
11/10 11:39