Kalldrëmet e Gjirokastrës u mbushën me tingujt e muzikës tradicionale në mbrëmjen që shënoi nisjen e aktivitetit kulturor “Iso mbi Kalldrëm”. Qindra qytetarë dhe turistë u bënë pjesë e atmosferës festive, duke ndjekur nga afër koncertin e parë të këtij eventi që do të zgjasë gjatë gjithë muajit gusht. Grupi “Nektar” hapi siparin e mbrëmjeve artistike me interpretimin e këngëve të traditës, duke sjellë emocione dhe duke promovuar vlerat e trashëgimisë shpirtërore shqiptare në zemër të qytetit muze.