Kryeministri Edi Rama ka reaguar për plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, protestuesit që u godit në sy nga një plumb gome gjatë protestës së mbrëmjes së kaluar. Përmes një mesazhi të gjatë publik, Rama ka bërë të ditur se është angazhuar personalisht që mbrëmjen e kaluar për sigurimin e kurimit të të riut në Itali dhe transportimin e tij me një avion charter mjekësor. “Jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë! Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak”.