Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh. Sheholli, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar, ngarkohet me veprën penale të spiunazhit pasi, nga një datë e pacaktuar e deri në ditën e arrestimit të tij, “me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si “BIA”), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi”. Sipas informacioneve të siguruara nga korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami, si pjesë të provave, Prokuroria Speciale ka listuar edhe veprimtarinë e Fatmir Shehollit gjatë kohës së luftës në Kosovë, duke përmendur se i njëjti ishte pjesë e strukturave të ish-Jugosllavisë dhe më vonë si gazetar, ku ndihmonte në shpërndarjen e narrativës serbe.