Një 21-vjeçar është vënë në prangat e policisë në Tiranë, pasi dyshohet se fshihet pas një sërë rastesh mashtrimi. Operacioni policor i koduar “Strategjia”, u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2 arrestoi në flagrancë të riun në momentin teksa po merrte një shumë parash nga një 26-vjeçare, të cilën e kishte mashtruar edhe më parë, duke përdorur identitet të rremë. Veprimet hetimore nisën pas denoncimit të një shtetaseje, e cila kishte rënë pre e mashtrimeve të përsëritura nga i dyshuari, duke i dorëzuar shuma të ndryshme parash. Në kuadër të hetimeve, është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij shtetasi, i cili dyshohet se ka përdorur identitete të rreme për të mashtruar disa qytetarë. Policia po vijon hetimet për të identifikuar raste të tjera të mundshme mashtrimi nga i riu.