Partia e Millorad Dodik ka shpallur fitoren në zgjedhjet në Republikën Sërpska, entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës. Fitore shënuan partitë nacionaliste edhe në pjesë të tjera të vendit. Në fjalimin pas zgjedhjeve, politikani prorus, Dodik tha se rezultatet preliminare tregojnë se Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD, do të mbetet në pushtet në Republikën Sërpska. Ai tha se, bazuar në rezultatet pas numërimit të 92 për qind të votave, kandidatja e SNSD-së, Zhelka Cvijanoviq, do të bëhet anëtare e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës.