Autoritetet greke njoftuan asgjësimin e një rrjeti të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm përmes Shqipërisë. Grupi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në kufi të mbi 500 emigrantë dhe ka arkëtuar të paktën 750 mijë euro nga ky aktivitet. Gjatë një operacioni të zhvilluar në Selanik dhe në rajonin e Thesprotisë, pranë kufirit me Shqipërinë, u arrestuan dhjetë persona, mes tyre edhe një grua 33-vjeçare nga Shqipëria. Shtatë nga të arrestuarit janë shtetas grekë dhe dy të tjerë sirianë. Sipas policisë, rrjeti vepronte të paktën që nga qershori i vitit 2025 dhe kishte organizuar 41 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, duke trafikuar mbi 500 emigrantë, kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina.