Serbia i dha shtetësinë Ali Kadyrovit, djalit 19-vjeçar të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, nën një mbiemër tjetër. Ky është zbulimi që ka publikuar të martën Fondacioni Kundër Korrupsionit, i themeluar nga Alexei Navalny. Ali e ndryshoi mbiemrin e tij në Musayev në janar të vitit 2025 dhe në korrik të vitit të kaluar, mori një pasaportë serbe si person me "interes të veçantë" për vendin. Hetimi ka zbuluar se djali i Kadyrov ka përdorur mbiemrin Musayev edhe te një pasaportë ruse, ku ka kryer mbi 100 fluturime me avionë privatë drejt vendeve të huaja, kryesisht në Dubai. Por, interesi i tij për pasaportën serbe lidhet me mundësitë që i jep për hyrjen në BE pa viza, ndonëse babai i tij është nën sanksione nga SHBA dhe BE-ja bashkë për shkak të përfshirjes së tij në luftën e Ukrainës. Në prill, Serbia ia hoqi shtetësinë nipit të Kadyrovit, vetëm pak ditë pasi ia kishte dhënë atë.