Policia e Kosovës njoftoi sekuestrimin e 136 kilogramëve hashash në një operacion të ndërmarrë këtë të premte në autostradën që lidh vendin me Maqedoninë e Veriut. Në njoftimin zyrtar thuhet se operacioni i koduar Kufiri 2, çoi gjithashtu në pranga tre persona, që u arrestuan bashkë me drogën në afërsi të pikës së kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, në zonën e Kaçanikut. Ndërkaq, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast është shpallur në kërkim, teksa ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor, ndaj të cilit prokuroria ka nisur veprimet hetimore. Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, personat e dyshuar në këtë rast janë shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Droga dyshohet se është kultivuar në Shqipëri, teksa grupi përdorte Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për ta trafikuar atë me destinacion final Turqinë.