Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dyshohet se kishte përgatitur një plan për të penguar me forcë transferimin e pushtetit pas humbjes së zgjedhjeve, por ndryshoi qëndrim në momentet e fundit pas ndërhyrjeve nga zyrtarë të policisë dhe institucioneve shtetërore. Pretendimet janë publikuar nga gazeta britanike The Times, e cila citon politikanë serbë, një ish-zyrtar të lartë të policisë dhe burime diplomatike. Sipas dëshmive të cituara nga gazeta, Beogradi ishte pranë një përplasjeje të rëndë politike, pasi dyshohet se ishin mobilizuar forca të konsiderueshme të sigurisë dhe mbështetës të presidentit, me synimin për të penguar ndryshimin e pushtetit. Ish-kreu i njësisë antiterroriste të Serbisë, Spasoje Vuleviç, pretendon se në qendër të kryeqytetit ishin dislokuar rreth 4 mijë efektivë policie dhe 3 mijë mbështetës të Vuçiçit. Sipas tij, prania e tyre nuk lidhej vetëm me masat e sigurisë, por dyshohet se ishte pjesë e një skenari për të penguar pranimin e rezultatit zgjedhor.