Edhe këtë të enjte, qytetarët e Kosovës kanë protestuar për vrasjen e Arlinda Zekajt. Protestuesit mbërritën para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku shkruan mesazhe në dyert e institucionit, duke kërkuar drejtësi dhe dorëheqje të përgjegjësve. Marshimi nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe vijoi në drejtim të institucioneve të drejtësisë, me ndalesa te Ministria e Drejtësisë dhe objektet e sistemit të drejtësisë dhe hetuesisë. Me mbërritjen para Qeverisë, protestuesit shkruan në dyert e godinës fjalët “Marre” dhe “Drejtësi”. Gjatë tubimit u dëgjuan gjithashtu thirrje për dorëheqje dhe shkarkime, ndërsa qytetarët kërkuan përgjegjësi institucionale për rastin e Arlinda Zekajt. Para godinës së Qeverisë u transmetua edhe biseda mes Arlindës dhe togerit të Policisë, Faruk Muqolli, e cila është bërë pjesë e reagimeve publike lidhur me trajtimin e rastit nga institucionet.