Edhe pse asnjëri prej tyre nuk është në fletën e votimit, Presidenti republikan Donald Trump dhe ish-Presidenti demokrat Barack Obama luajtën role kryesore në fushatën zgjedhore, ndërsa ka mbetur më pak se një javë deri te zgjedhjet për Kongresin, gara që mund të ndryshojnë ekuilibrin e pushtetit në Uashington. Ndërsa Trump ka zhvilluar një fushatë intensive prej disa javësh, duke nxjerrë në pah shqetësimet e republikanëve se mund të humbasin kontrollin e Kongresit në dy vitet e fundit të presidencës së tij, Obama kishte ruajtur një profil publik relativisht të ulët deri javën e kaluar. Gjatë ditëve të fundit, ai ka mbajtur fjalime të ashpra, duke kritikuar Trumpin. Të martën e ardhshme do të jenë në garë 35 nga 100 vendet në Senat dhe të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve. Analistët e pavarur vlerësojnë se demokratët kanë më shumë gjasa të sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa gara për Senatin shihet si shumë e ngushtë.