Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, deklaroi të premten se është i bindur se do të sigurojë një shumicë të krahut të majtë në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme, pavarësisht sondazheve jo të favorshme, ndërsa partitë politike po përgatiten të mbyllin fushatën përpara votimit të së dielës. Në një kohë kur ndalohet me ligj publikimi i sondazheve të opinionit publik, lideri socialist këmbënguli se të dhënat e brendshme tregojnë se partia e tij do të marrë më shumë vota, gjë që do t'i mundësonte rizgjedhjen me mbështetjen e aleatëve më të vegjël të së majtës. "Nuk mund ta imagjinoj që ne të humbim," tha Sánchez duke shtuar se votuesit e së majtës po mobilizohen gjithnjë e më shumë për të dalë masivisht në votime, një parakusht ky për të arritur një shumicë progresiste që do të trajtonte çështje si kriza e thellë e banesave në vend. Megjithatë, pothuajse të gjitha sondazhet e publikuara para hyrjes në fuqi të ndalimit tregonin një avantazh të qartë për një koalicion të mundshëm midis Partisë Popullore konservatore dhe partisë së ekstremit të djathtë, Vox, që synojnë ta largojnë Sánchez-in nga pushteti pas tetë vitesh.