Kroacia nuk do të lejojë mbylljen e kapitullit 31 në negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) pa u zgjidhur çështja e kufirit. Paralajmërimi erdhi nga kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç, ndërsa kapitulli 31 përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Nga ana e tij, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, rikujtoi se as Kroacia, kur u pranua në BE, nuk e kishte të zgjidhur çështjen e kufirit me Slloveninë, fqinjën e saj. Millatoviç shprehu gatishmërinë që, nëse nuk arrihet marrëveshje, ta dërgojë kontestin në Gjykatën Ndërkombëtare ose në arbitrazh. Kryeministri kroat e hodhi poshtë këtë mundësi, duke thënë se Kroacia nuk beson në arbitrazh.