Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç deklaroi se Zagrebi nuk do të japë OK-in e tij për mbylljen e kapitullit 31 të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Europian, pa u zgjidhur më parë çështja e kufirit mes dy vendeve. Përcaktimi i kufirit tokësor, veçanërisht në zonën e gadishullit të Prevllakës, është kusht për avancimin e negociatave, u shpreh Plenkoviç, duke kundërshtuar edhe mundësinë e zgjidhjes së ngerçit përmes arbitrazhit ndërkombëtar. Presidenti malazez Jakov Milatoviç kishte shprehur më herët gatishmërinë që mosmarrëveshja të dërgohej në Gjykatën Ndërkombëtare ose në arbitrazh, nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje dypalëshe.