Kompania Pfizer i kërkoi qeverisë amerikane të enjten të lejojë përdorimin urgjent të vaksinës së saj kundër COVID-19 tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, dhe nëse rregullatorët bien dakord, imunizimet mund të fillojnë brenda disa javësh. Shumë prindër dhe pediatër po kërkojnë mbrojtje për fëmijët nën 12 vjeç, kufiri i tanishëm i moshës së lejuar për të marrë vaksinën e Pfizer-it. Fëmijët e kësaj grup-moshe ka raste që sëmuren rëndë, por po ashtu mbajtja e tyre në shkollë, mund të jetë sfiduese ndërsa koronavirusi vazhdon të jetë problem në komunitetet me shkallë të ulët të vaksinimit.