Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe mbetet në garë për të tretin, njoftoi bartësi i listës, Shaip Kamberi, duke iu referuar rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Sipas Kamberit, lista e përbashkët e tetë partive shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka marrë 27.230 vota. Të njëjtat shifra i publikoi edhe Ardita Sinani. Të dy e cilësuan rezultatin si “arritje historike”. “Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, shkroi Kamberi në Facebook. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi rezultatin si “arritje të jashtëzakonshme”, duke thënë se koalicioni ka dy mandate të projektuara dhe se gara për të tretin mbetet e hapur. “Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar”, shkroi Kurti në Facebook, duke uruar qytetarët dhe subjektet politike shqiptare në tri komunat.