Tre vjet pas nënshkrimit, Greqia dhe Egjipti kanë nisur zbatimin e marrëveshjes dypalëshe që lejon punësimin e ligjshëm të punëtorëve sezonalë egjiptianë në sektorin bujqësor grek. Marrëveshja parashikon punësimin e deri në 5 mijë punëtorëve egjiptianë për punë sezonale në ferma dhe kultura bujqësore në rajone të ndryshme të Greqisë, ndërsa autoritetet greke nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së këtij numri nëse nevojat e tregut shtohen. Ky hap vjen pasi Greqia po përballet prej vitesh me mungesë të fuqisë punëtore në bujqësi, veçanërisht gjatë periudhave të korrjes.