Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe ajo e Izraelit nënshkruan Marrëveshjen e përgjithshme të sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes. “Qëllimet e kësaj marrëveshjeje janë të sigurojë mbrojtjen e të dhënave sekrete, që transmetohen ose shkëmbehen mes palëve, të sigurojë mbrojtjen e objekteve, sigurinë e personelit dhe çështje të tjera për të cilat palët merren vesh bashkërisht”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes. Deklarata nuk saktësoi se për cilat projekte bëhet fjalë, por shtoi se nisma për marrëveshjen kishte ardhur nga pala izraelite. Marrëveshja me Izraelin hyri në fuqi para se për ratifikimin e saj të votonin deputetët e Kuvendit të Serbisë.