Të gjitha makinat e Papës, ose ndryshe "Popemobilët", si ato të së kaluarës, ashtu edhe ato të së tashmes, të prodhuara nga kompania gjermane Mercedes-Benz, janë yjet e një ekspozite të re në Vatikan. Ekspozita e titulluar "Një shekull 'Popemobil'" pasqyron marrëdhënien e gjatë mes prodhuesit të automjeteve me seli në Shtutgart dhe Selisë së Shenjtë. Gjatë kësaj periudhe, kreu i Kishës Katolike ka përdorur automjete gjithnjë e më të sofistikuara për t'u takuar me besimtarët, qoftë në Sheshin e Shën Pjetrit, apo gjatë udhëtimeve të tij nëpër botë. Ekspozita, e cila u hap për publikun të enjten, ndodhet në një pavjon të përkohshëm brenda Kopshteve të Vatikanit dhe përfshin tetë modele të marra hua nga koleksioni i prodhuesit të automjeteve dhe ai i Vatikanit. E para që bie në sy, dhe që ndryshon rrënjësisht nga "popemobilët" e bardhë të ditëve të sotme, është "Nurburg 460", një limuzinë e zezë e shndritshme e tipit "Pullman", e dorëzuar për Papa Piun XI në vitin 1930. Pjesa e saj e jashtme, luksoze, fsheh brenda një fron papnor të rehatshëm, të veshur me mëndafsh.