Komisioni Europian do të rishpërndajë një pjesë të fondeve të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke ia hequr ato Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë për t’ia kaluar Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Vendimin e konfirmoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, duke e lidhur drejtpërdrejt me progresin e vendeve në zbatimin e reformave. Sipas këtij rishikimi, Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15% më shumë fonde nga sa ishte parashikuar fillimisht, ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfitojë 10% më shumë. Von der Leyen bëri të ditur se këto tri vende mund të kenë akses në rreth 338 milionë euro shtesë në javët në vijim, pasi shkalla e përmbushjes së reformave në rajon është rritur nga 38% një vit më parë në 63%.