Mungesa e qeverisë me mandat të rregullt në Kosovë vështirëson misionin e Bashkimit Europian për të normalizuar marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, Brukseli thotë në një përgjigje për KosovaPress, se po punon me të dyja palët drejt një normalizimi të plotë të raporteve duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura, por se takimet e reja dypalëshe me ndërmjetësimin e BE varen thelbësisht nga vullneti i tyre. “BE pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin me shpejtësi angazhimet e tyre në kuadër të Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre për anëtarësim në BE. Rruga drejt Bashkimit Europian për të dyja palët kalon nga dialogu’, thotë BE. Kosova dhe Serbia janë dakorduar në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe më pas për aneksin e Ohrit, mirëpo kjo ujdi ka mbetur vetëm në letër dhe nuk është zbatuar në terren.