Islami pritet të tejkalojë Krishterimin si feja më e madhe në botë nga mesi i dekadës së ardhshme, pasi shkalla e lindjeve te myslimanët është më e lartë se numri i foshnjave të lindura nga gra të besimeve të tjera, sipas një parashikimi të publikuar të mërkurën nga Peë Research Center. Edhe pse Krishterimi ka qenë feja më e madhe e njerëzimit për shekuj me radhë, popullsia myslimane në mbarë botën është rritur shumë më shpejt dhe parashikohet të arrijë në 2,57 miliardë deri në vitin 2035, krahasuar me 2,52 miliardë të krishterë që pritet të jenë në atë vit, thuhet në studim. Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, deri në vitin 2070 myslimanët do të jenë më të shumtë në numër se të krishterët në shkallë globale, 3,6 miliardë kundrejt 3 miliardëve, dhe Islami do të përbëjë pjesën më të madhe të popullsisë botërore, me 37%, një rritje nga 26% që ishte në vitin 2020, thekson Peë. Ndërkohë, Krishterimi pritet të mbetet i qëndrueshëm në nivelin rreth 29%, duke u renditur i dyti për sa i përket përqindjes në popullsinë globale. Studimi e lidh këtë ndryshim kryesisht me shkallën më të lartë të lindshmërisë në botën islame, ku mesatarja është 3,1 fëmijë për çdo grua myslimane, krahasuar me 2,5 fëmijë për çdo grua të krishterë gjatë periudhës 2020-2025. Për të gjitha kategoritë e tjera fetare të marra së bashku, shkalla e lindjeve në atë periudhë ishte mesatarisht 1,6 fëmijë për grua, shifër kjo nën nivelin minimal prej 2,1 fëmijësh, që konsiderohet i nevojshëm që një brez të zëvendësojë veten. Sipas Peë, një organizatë kërkimore jopartiake me seli në Uashington, ndonëse rritja natyrore e popullsisë, ku lindjet tejkalojnë vdekjet, mbetet faktori kryesor në ndryshimin e demografisë së myslimanëve dhe të krishterëve, një rol të konsiderueshëm do të luajë edhe ndërrimi i fesë.