Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga mbrojtja e ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, duke ia kaluar dosjen dhe aktet përkatëse GJKKO-së. Përmes kësaj kërkese, mbrojtja kishte kërkuar informacion mbi ecurinë e hetimeve dymujore si dhe zëvendësimin e masës së sigurisë "arrest në shtëpi", në të cilën ndodhet aktualisht Mataj. Elisabeta Mataj u arrestua disa muaj më parë nën dyshimet për abuzim me fondet e pensioneve dhe shpërdorim detyre. Sipas hetimeve të deritanishme, ajo dyshohet se në bashkëpunim me punonjës të tjerë të postës, ka përvetësuar rreth 700 mijë euro përmes falsifikimit të firmave dhe tërheqjes së pensioneve të personave që jetonin jashtë vendit ose që kishin ndërruar jetë.