Për të marrë pensionin, të moshuarit në Durrës përballen me radhë të gjata, pritje dhe shpesh detyrohen të kthehen disa herë në sportel. Në zyrën e Postës Shqiptare në Plazh, shumë prej pensionistëve ankohen për situatën dhe mungesën e parave në sportele, ndërsa të tjerë thonë se, pavarësisht pritjes, arrijnë ta tërheqin pensionin brenda ditës. Përballë ankesave, drejtori i filialit të Postës në Durrës, Alban Xhelili, mohon mungesën e likuiditetit. Ai shpjegon arsyet, ndërsa premton masa për përmirësimin e shërbimit gjatë muajit në vijim. Alban Xhelili, Drejtor i filialit të Postës Durrës (Mbi likuiditetin dhe masat që do të merren -fluksi i lartë në zyrat me numër të madh pensionistësh dhe procedurat e sigurisë) Problemet e raportuara nga pensionistët vijnë në një kohë kur filiali i Postës në Durrës është në qendër të vëmendjes për një prej çështjeve më të rënda financiare të këtij viti, zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj, të regjistruar si transferta drejt degëve të Shijakut dhe Krujës, por që nuk mbërritën asnjëherë në destinacion, Çështja tani i ka kaluar për hetim SPAK-ut, ndërsa për të janë arrestuar ish-drejtoresha e filialit, ish-shefja e financës dhe ish-arkëtarja.