Besart Xhaferri ka përfunduar mandatij e tij si Kryetar I Forumit Rinor të Partisë Demokratike pas katër vitesh në krye të kësaj strukture. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Xhaferri bëri të ditur se ka nisur një etapë e re e ripërtëritjes së Forumit Rinor, ndërkohë që drejtimi do ti kalojë Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja. Xhaferri vlerësoi kontributin e të rinjve në protesta, fushata elektorale dhe aktivitetet e Partisë Demokratike, duke e cilësuar FRPD-në si zemrën dhe motorin e çdo proteste dhe angazhimi politik të opozitës. Ai tha se largimi nga drejtimi nuk nënkupton largimin nga familja politike, duke theksuar se do të vijojë të jetë në krah të të rinjve demokratë. ‘Detyrat ndryshojnë, përgjegjësitë ndryshojnë, por idealet dhe miqësitë e vërteta mbeten përgjithmonë!’-shkruan Xhaferri në mesazhin e tij. Në përfundim, Xhaferri shprehu bindjen se FRPD do të vijojë të mbetet një forcë e rëndësishme në Partinë Demokratike.