Qytetarët në Ballkanin Perëndimor përballen gjithnjë e më shpesh me asistentë virtualë kur vizitojnë faqet zyrtare të institucioneve ose bankave, edhe pse përdorimi i teknologjive ende nuk është rregulluar qartë me ligj. Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, ndodhen në faza të ndryshme të përdorimit të inteligjencës artificiale, veçanërisht në administratën publike. Institucionet publike të këtyre vendeve, pajtohen se mungon një kuadër i posaçëm ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe se rreziqet më të mëdha lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.