Një operacion i forcave speciale greke në Athinë është përmbyllur me arrestimin e tetë personave, shtatë prej të cilëve shqiptarë dhe një gruaje greke. Sipas mediave greke, të arrestuarit janë pjesë e një grupi të trafikut të drogës, teksa në aksion janë sekuestruar dhe armë zjarri. Operacioni është ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës nga oficerët e policisë dhe forcat speciale greke. Paraprakisht njoftohet se shtatë të arrestuar janë burra me origjinë shqiptare ndërsa një grua është greke, që dyshohet se ka qenë anëtare kryesore e grupit. Nga kontrollet e shtëpive që janë kryer deri më tani, janë identifikuar sasi droge, kryesisht kokainë, dhe një numër i madh fishekësh dhe armësh. Sipas informacioneve, hetimet janë duke u zhvilluar në zona të ndryshme të Athinës dhe kur ato të përfundojnë, do të ketë njoftime zyrtare nga autoritetet.