Disa javë pasi e morën pushtetin në Afganistan, talibanët kanë kërkuar që t’u drejtohen liderëve botërorë me një fjalim në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila po i zhvillon punimet vjetore këtë javë në Nju Jork. Kërkesa e talibanëve është konfirmuar nga Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Kërkesa e talibanëve u bë përmes një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. Përveç kërkesës për pjesëmarrje në mbledhjen vjetore të OKB -së, në letër thuhej se talibanët po nominonin një përfaqësues të ri të përhershëm në OKB, Mohammad Suhail Shaheen. Ky i fundit ka qenë një zëdhënës i talibanëve gjatë negociatave të paqes në Katar.