Regjistrimet e automjeteve kanë shënuar rënie edhe gjatë muajit maj, duke përshpejtuar ritmet e tkurrjes pas ngadalësimit të evidentuar në prill. Sipas të dhënave zyrtare, në maj u regjistruan 8,116 automjete, 7.5% më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe niveli më i ulët i tre viteve të fundit. Pas një fillimi të vrullshëm të vitit, kur në periudhën janar-mars regjistrimet u rritën me 8.4%, tregu po ndikohet nga vështirësitë në importet e mjeteve nga Koreja e Jugut dhe Kina, dy burimet kryesore të furnizimit për Shqipërinë.