Elon Musk urdhëroi javën e kaluar ngadalësimin e një versioni të shërbimit satelitor Starlink të SpaceX, i nivelit ushtarak dhe mbi të cilin mbështetet Ukraina, raportoi Ëall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe burime të njohura me çështjen. Ukraina e përdor Starlink-un për komunikime në fushën e betejës dhe për operacione me dronë. Kufizimi i shërbimit satelitor pengoi misionet e vendit me dronë, si për sulme, ashtu edhe për mbrojtje ajrore kundër Rusisë. Sipas raportit, Musk dhe Presidenti amerikan Donald Trump diskutuan vendimin lidhur me Starlink-un në një bisedë telefonike pak pasi ngadalësimi u bë publik, ndërsa presidenti ishte në fushatë javën e kaluar. Raporti shton gjithashtu se të dy e kishin diskutuar çështjen edhe para se të merrej vendimi për të kufizuar shpejtësinë e Starlink-ut. Reuters kishte raportuar ekskluzivisht se urdhri për të kufizuar sistemin satelitor kishte ardhur nga brenda Shtëpisë së Bardhë. Trump deklaroi javën e kaluar se nuk besonte se ai ose Musk ishin përgjegjës për humbjen e aksesit të Ukrainës në Starlink, ndërsa Musk tha se çdo kufizim në shpejtësi apo në përdorimin e Starlinkut ishte vendosur nga ushtria amerikane ose nga presidenti.