Mali i Zi ka reaguar pas paralajmërimit zyrtar të bërë nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) ndaj presidentit Aleksander Vuçiç, se përbën rrezik për të vizita në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat. Ministria e Punëve të Jashtme përmes një njoftimi bën me dije se si anëtar i besueshëm i NATO-s, Mali i Zi u garanton të gjithë mysafirëve të tij një qëndrim të sigurt, të mbrojtur dhe të këndshëm. “Prioritet i yni mbetet që asnjë rrethanë dytësore të mos e errësojë suksesin e samitit dhe objektivat e përbashkëta që ai promovon”. Thuhet në njoftim.