Një autokolonë ndihmash u nis gjatë natës drejt qytetit të Oleshky-t, në Ukrainën jugore, zonë kjo nën kontrollin rus. Siç bëri të ditur të premten gazeta ruse "Izvestia", autokolona transporton ushqime, materiale mjekësore dhe artikuj të tjerë. Ky veprim vjen pas përpjekjeve disajavore për të organizuar një operacion ndihme për banorët e këtij qyteti, i cili vuan nga mungesa të shumta. Qyteti u pushtua nga forcat ruse në shkurt të vitit 2022. Komisioneri ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, dhe homologja e tij ruse, Yana Lantratova u takuan gjatë natës, sipas pamjeve video të publikuara nga kanali televiziv shtetëror rus "Vesti". "A është gjithçka në rregull?" – pyeti Lantratova në rusisht në video. "Po, na pritën ngrohtësisht", u përgjigj Lubinets në ukrainisht. Sipas kanalit televiziv, takimi u zhvillua në Oleshky. Lantratova deklaroi se një grup prej 25 autobusësh, me të paktën 750 vende, ishin gati për të evakuuar ata që dëshironin të largoheshin, përfshirë edhe kafshët shtëpiake. Agjencitë ruse të lajmeve cituan Lantratovën të thoshte se Moska dhe Kievi po i respektojnë marrëveshjet e arritura, ndërsa armëpushimi po vazhdon për të mundësuar dërgimin e ndihmave në qytet. Të dy komisionerët, me ndihmën edhe të palës amerikane, kishin ndërmjetësuar për arritjen e këtij armëpushimi.