"Çdo vonesë e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor vulnerabël dhe të hapur ndaj influencës nga një palë e tretë", tha kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz të enjten në Berlin në takimin me homologun austriak, Karl Nehammer. "Nuk na duhen vetëm fjalimet për perspektivat e mundshme europiane, por tani duhet ta realizojmë këtë", theksoi Nehammer. Nëse nuk bëhen përparime të shpejta ky rajon mund të bëhet zonë influence e Rusisë dhe Kinës. Në Ballkanin Perëndimor Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë si kandidatë "potencialë" ende larg antarësimit. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bisedimet e antarësimit duhej të kishin filluar prej kohësh, por hapja e tyre ka dështuar vazhdimisht prej rezistencës së vendeve të ndryshme anëtare të BE-së.