Prej një muaji, në mbarë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje. Mëngjesin e kësaj të hëne, përgjatë aksit rrugor Vlorë–Radhimë, u shemb me lëndë plasëse një godinë trekatëshe në ndërtim e sipër, e cila kishte shkelur kushtet e lejes së ndërtimit. Në strukturën e betonit u vendosën 32 kilogramë tritol, ndërsa gjatë operacionit zona u rrethua nga policia, zjarrfikësit dhe punonjësit e IKMT-së. Për rreth 30 minuta, qarkullimi në rrugë u bllokua. Pamje nga shembja janë shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi këtë veprim si pjesë të betejës për të ndalur paligjshmërinë dhe për të mbrojtur hapësirat e përbashkëta. Gjatë një reagimi një ditë më parë, kryeministri theksoi se prishja e ndërtimeve pa leje nuk është një sulm ndaj sipërmarrësve, por një domosdoshmëri për të zbatuar ligjin, duke paralajmëruar se të gjitha ndërtimet e paligjshme do të shemben.