Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor muajin e ardhshëm. Lajmi u konfirmua të hënën nga komisioni, ku nuk u përcaktua se në cilat vende do të udhëtojë Von der Leyen, por duket se Serbia nuk do të jetë pjesë e turneut të saj. “Shmangia e vizitës në Serbi si pjesë e turit është një mundësi që nuk përjashtohet”, tha një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë. Ndërkohë, zëdhënësja e Komisionit Evropian tha se jo të gjitha vendet në rajon mund të përfshihen në agjendën e vizitës së saj. "Mund të konfirmoj se, si çdo vit, presidentja do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor. Programi është ende duke u krijuar dhe, për këtë arsye, nuk jam në gjendje të konfirmoj se cilat vende do të përfshihen, ose nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen në program", tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paola Pinho, në një konferencë për shtyp. Von der Leyen ka planifikuar të nisë turneun e saj të rregullt vjetor në Ballkanin Perëndimor në tetor, gjatë të cilit ajo tradicionalisht viziton të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë. Megjithatë, këtë herë është Serbia ajo që mund të paraqesë një problem. Nëse do të ketë një vizitë në Serbi, ajo do të jetë vetëm disa javë pas varrimit të Ratko Mlladiçit, të dënuarit për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Bosnje e Hercegovinë. Tashmë ka thirrje nga brenda Parlamentit Evropian që ajo të mos e vizitojë Serbinë këtë herë. Më herët, komisionarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e anuloi një vizitë në Beograd, për shkak të intensifikimit të glorifikimit të imazhit dhe punës së tij.