Një zhvillim me rëndësi të veçantë për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi u shënua në Tuz, ku tre subjekte politike shqiptare vendosën të bashkohen në një forcë të vetme politike me emrin Forumi Shqiptar. Gjatë ceremonisë së bashkimit, kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, e cilësoi këtë vendim si rezultat të besimit të ndërtuar ndër vite, të suksesit në zgjedhjet e fundit dhe të bashkëpunimit të dëshmuar në nivel lokal e qendror. Sipas tij, krijimi i Forumit Shqiptar përbën një investim për të ardhmen e shqiptarëve dhe një kontribut të rëndësishëm në rrugën europiane të Malit të Zi.