Tregu i pasurive të paluajtshme në Korçë po njeh një dinamikë të re. Megjithëse volumi i shitjeve mbetet konstant, çmimet kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, duke prekur shifra rekord për qytetin juglindor. Në zonat më të lakmuara, metri katror i një apartamenti të ri varion nga 1050 deri në 1250 euro, ndërsa në pikat më të preferuara çmimi arrin deri në 1350 euro. Edhe në lagjet periferike dhe apartamentet e vjetra rritja është e pranishme me rreth 50 euro për metër katror. Por kush janë blerësit? Përtej emigrantëve që dominojnë sezonin turistik, tregu mbahet gjallë nga banorët e zonave rurale dhe rretheve të tjera që zgjedhin Korçën për jetesë apo turizëm. Ndërkohë, çiftet e reja e kanë gjithmonë e më të vështirë, duke u varur plotësisht nga kreditë bankare.