Pas reagimit të tij pak orë më parë për pagat e magjistratëve, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në platformën X, duke sjellë të tjera të dhëna mbi pagat e gjyqtarëve në Shqipëri dhe rritjen e kërkuar prej tyre. Rama argumenton se paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është aktualisht 280% më e lartë se paga mesatare në administratën shtetërore, ndërsa sipas tij është 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ai shton se pagat e gjyqtarëve shqiptarë janë gjithashtu më të larta se ato në Kroaci, Bullgari dhe Serbi. Sipas kryeministrit, nëse do të miratohej rritja e kërkuar e pagave, paga mesatare e gjyqtarëve do të tejkalonte edhe atë të kolegëve në Greqi, Rumani dhe Slloveni. “Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë”, shkruan Rama.