Kosova rrezikon të humbasë miliona euro të tjera nga fondet e Bashkimit Evropian, për shkak të vonesave në përmbushjen e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes, thonë deputetë të opozitës dhe njohës të integrimeve evropiane. Sipas tyre, pavarësisht funksionalizimit të institucioneve, vonesat në miratimin e legjislacionit dhe zbatimin e reformave mund të ndikojnë në përfitimin e mjeteve financiare nga BE-ja. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se Kosova duhet të përshpejtojë përmbushjen e obligimeve, në mënyrë që të shmangë humbjet e tjera financiare.