Zvicra njoftoi se ceremonia e nënshkrimin e marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që synon dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme, do të mbahet në resortin malor të Burgenstokut. “Aktualisht, nënshkrimi i dokumentit është planifikuar për të premten, më 19 qershor, në Burgenstok, që ndodhet në kantonin e Nidvaldenit. Ky lokacion është propozuar nga ndërmjetësuesit pakistanezë dhe ata nga Katari, si dhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani”, njoftoi ministria e Jashtme zvicerane. Burgenstoku është një kompleks i njohur rezidencial dhe për konferenca në Zvicrën qendrore, i cili më parë ka qenë mikpritës i takimeve ndërkombëtare dhe negociatave diplomatike. Irani dhe Shtetet e Bashkuara e nënshkruan në mënyrë elektronike më 15 qershor memorandumin e mirëkuptimit për t’i dhënë fund luftës, i hartuar në formën e një dokumenti të përgjithshëm. Nënshkrimi zyrtar i dokumentit është planifikuar të bëhet më 19 qershor, në praninë e zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve.