Të martën, para agimit, policia portugeze shpërndau kampet e protestës në Lisbonë dhe Porto, duke larguar aktivistët që kishin bllokuar dy sheshe qendrore për të protestuar kundër krizës gjithnjë e më të rëndë të strehimit, si dhe arrestoi 55 persona. Aktivistët kishin okupuar sheshin "Rossio" në Lisbonë që nga e shtuna, duke ngritur rreth 200 tenda, ndërsa në Porto kishin bllokuar sheshin "Dom Joao I" për rreth 10 ditë. Këto kampe pasqyronin protestat për strehimin në Spanjën fqinje dhe përkonin me pakënaqësitë lidhur me rritjen e kostos së jetesës në vende si Franca, Belgjika dhe Italia. Pak para orës 06:00 të mëngjesit, pasi i paralajmëruan protestuesit se kampet ishin të paligjshme, policia ndërmori operacione të koordinuara në të dyja qytetet. Në Porto, protestuesit i hoqën vetë tendat e tyre, ndërsa në Lisbonë, efektivët e policisë pastruan sheshin "Rossio". Carla Valadao, një zëdhënëse e kampit në Lisbonë, e përshkroi operacionin policor si "shumë agresiv" dhe u zotua se protesta do të rifillonte. Zyrtarët e sigurisë thanë ndërkohë më vonë për gazetarët se largimi i protestuesve ishte bërë në mënyrë "të qetë, proporcionale dhe të përshtatshme, pa përdorur forcë". Ata bënë të ditur se 55 persona u ndaluan pasi refuzuan të largoheshin vullnetarisht nga zona, ndërsa dy raste lëndimesh të lehta u trajtuan menjëherë.