Presidenti Trump ka urdhëruar një hetim mbi një skemë të dyshuar të "blerjes së ndikimit", në të cilën aleati i tij, Richard Grenell, dyshohet se ka udhëzuar një biznesmen turk, të kalonte rreth 17 milionë dollarë përmes një kompanie në Teksas; me një pjesë të këtyre fondeve të destinuar për "Kennedy Center", që nuk mbërriti kurrë në destinacion. Skema e dyshuar për ‘blerje ndikimi’ ka shkaktuar trazira në Shtëpinë e Bardhë. Sipas një raporti të fundit të portalit Axios, Trump urdhëroi hetimin për të përcaktuar nëse Grenell, një aleat i tij, ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme një donacion të madh që ishte destinuar për "Kennedy Center". Në qendër të çështjes, shkruan Axios, është një udhëzim i pretenduar nga Richard Grenell, ish-drejtues i "Kennedy Center", drejtuar biznesmenit turk Turhan Mildon majin e kaluar. Grenell dyshohet se e ka udhëzuar Mildonin të transferonte rreth 17 milionë dollarë te kompania "Texas Armament & Technology" me seli në Hjuston, nga të cilat rreth 6 milionë dollarë duhej të shkonin për qendrën e arteve skenike. "Sapo paratë të mbërrijnë në kompani, unë do të organizoj donacionin për 'Kennedy Center'; ju do të merrni pjesë në evente VIP dhe do të krijoni afrimitet me administratën, madje edhe me vetë Presidentin,", thuhet në një mesazh të dërguar nga Grenell. Ky i fundit, sipas Axios, ka mohuar akuzat. "Nuk ka asnjë mundësi që kjo të jetë e vërtetë. Është çmenduri," tha Grenell. Sipas një sondazhi të "Gallup" të zhvilluar në shtator, një shifër rekord prej 89 për qind e amerikanëve besojnë se korrupsioni është i përhapur në të gjithë qeverinë amerikane. "D.C. është një qytet i korruptuar," deklaroi javën e kaluar zëvendëspresidenti JD Vance, kur u pyet nëse kishte vënë re diçka brenda Shtëpisë së Bardhë që i kishte ngjallur dyshime. Por, ai shtoi: “Nuk kam parë asnjë provë të vetme që Trump të marrë pjesë në atë korrupsion ose ta miratojë atë”.