Kreu i Inspektoratit të mbrojtjes së territorit, Rigers Sheqeri dhe Zhaneta Beqiri, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve, janë dy nga zyrtaret e Bashkisë që janë shkarkuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Vendimet mbajnë datën 20 nëntor, ndërsa vete kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS për Tiranën foli për shkarkime skandaloze në Bashkinë e Tiranës, me urdhër të Veliajt, pasi sipas tij nuk i kishin bërë “like” dhe “share” postimeve të kryebashkiakut nga qelia. Por Vendimi për shkarkimin e Zhaneta Beqirit firmosur nga Veliaj lidhet me pretendime për shkelje me dëme ekonomiko-financiare të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndërkohë, Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake, raportohet se është në proces largimi nga detyra. Çeshtja e Lalajt u përmend edhe nga Kryeministri Edi Rama. Largimi i drejtorëve më të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës ka ardhur pas përplasjeve dhe akuzave mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kreut të qeverisë, Edi Rama. Përplasje qe kane sjellë dhe përjashtimin nga PS të avokatit mbrojtës të Veliajt, Plarent Ndrecës.