Presidenti amerikan Donald Trump fajësoi emigracionin për trazirat gjatë protestave të fundjavës në Francë dhe i bëri thirrje vendit që të ashpërsojë rregullat e tij për migracionin. "Franca po digjet! Emigracioni i njerëzve nga një botë krejtësisht tjetër, njerëz që mbajnë urrejtje në zemrat e tyre, e ka shkatërruar atë vend që dikur ishte i madh," shkroi Trump në një postim në platformën e tij, Truth Social. "Mbyllni kufijtë dhe merrni situatën nën kontroll, para se të jetë tepër vonë!" Të hënën, Franca po përballet me pasojat e dëmeve të mëdha të shkaktuara gjatë protestave të fundjavës, të cilat lanë të djegur një ndërtesë historike bashkie dhe çuan në afro 2000 arrestime. Kjo situatë shton presionin mbi Presidentin Emmanuel Macron, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve për pasardhësin e tij. Postimi i Trump vjen pas komenteve të ngjashme të bëra më herët nga zëvendëspresidenti JD Vance. "Liberalët perëndimorë sollën 'botën e tretë' në Francë dhe në vende të tjera, në emër të diversitetit dhe dhembshurisë. Ata i shpërfillën çështjet thelbësore të asimilimit dhe përputhshmërisë. I kishin paralajmëruar se kjo do të ndodhte, por ata nuk dëgjuan," shkroi Vance në platformën X. "Lutem që Franca, një vend i bukur me njerëz të mrekullueshëm, ta ndalojë këtë çmenduri para se të digjen edhe më shumë monumente e objekte të rëndësishme," shtoi ai.