Dy shtetas shqiptarë, të moshës 32 dhe 34 vjeç, janë arrestuar nga policia britanike pasi hynë me forcë për të vjedhur në Anmer Hall, vilën familjare të Princit William dhe Princeshës Kate. Mediat britanike raportojnë se të dyshuarit nuk e dinin se prona i përkiste çiftit mbretëror, ndërsa njëri prej tyre rezulton emigrant i paligjshëm me kërkesë të refuzuar për azil. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur autorët aktivizuan sistemin e avancuar të sigurisë me kamera, sensorë dhe lazer. Policia nisi menjëherë një operacion të gjerë kërkimi me qen nuhatës, dronë dhe një helikopter me rreze infra të kuqe, duke i lokalizuar dhe prangosur të dy personat brenda territorit të pronës.